( 736 letture) -Të kujtosh përfaqësuesit e shquar të inteligjencies të vendit tënd, që ia kanë kushtuar gjithë jetën e tyre me dashuri dhe vetmohim të mirës së vendit, është një detyrë fisnike dhe një nder i shenjtë.
(artikull i botuar ne Gazeta 55) shkruar nga Kostandin M.Leka
Kaq më tepër kur me këta personalitete shoqërore ti ke lidhje gjaku dhe ke jetuar periudha shumë të rëndësishme të jetës së tyre, duke qenë kështu një dëshmitar i gjallë i këtyre fakteve, "rrëfimi" i tyre, kthehet në një detyrë shoqërore "e detyruar", imperative.
E tillë është marrëdhënia ime me intelektuali patriot Harilla Bakalli. Ai është vëllai i gjyshes sime, Aretisë, pra daja i tim eti, por si unë, të gjithë në shtëpi e kemi quajtur gjithmonë Dajë Harilla.
Por, ajo që e ka forcuar akoma më shumë këtë lidhje natyrale gjaku, ka qenë se ngjarjet sollën, që si i ati i Harillës, ashtu dhe ai vetë, më vonë, pas vdekjes së parakohëshme të burrit të Aretisë (gjyshit tim Kostandinit), u bënë kujdestarë shumë të dhembshur të familjes së saj, pra edhe të atit tim, Minella Leka. 
Dajë Harilla duke filluar nga roli i "kujdestarit" të tim eti, që kur ky i fundit ishte në moshën 9 vjeç, kur ndiqte shkollën tregtare në Milano, filloi të luajë rolin e kryetarit të familjes së motrës duke krijuar një marrëdhënie shumë të ngushtë dhe të dashur si me tim atë, ashtu dhe me të gjithë pjestarët e tjerë të familjes sime.
Gjatë kësaj pranie të Dajë Harillës në familjen time, unë kam jetuar mjaft momente, periudha të gëzuara dhe të hidhura, por veçanërisht të disa ngjarjeve shumë dramatike, kur ai është përballur me vdekjen.
Deri më sot, i vetmin studim për t’u lavdëruar mbi aktivitetin shoqëror të Harillës, e ka bërë djali i nipit të tij, Nasho Bakalli, që është dhe kushëriri im. Kështu plotësimi i këtij dokumentimi arkivial me fakte të jetuara dhe të vuajtura me Dajë Harillën nga unë, që sot jam i vetmi dëshmimtar akoma i gjallë, besoj se do të ndihmojnë në plotësimin akoma më të mirë të figurës së këtij intelektuali të shquar.
Harilla Bakalli u lind në Durrës në vitin 1892, në një familje tregtare të pasur, me atë Athanasin dhe nënë Llambrininë. Ka një vëlla të madh Vasilin dhe një motër, Aretinë, të martuar në familjen tregtare Leka të Durrësit. Nga kjo martesë e Aretisë me Kostandin Lekën, u lindën: im atë, Minella, Ksanthipi dhe Jani, të cilët i gjejmë të pranishëm në jetën e Harillës..
Në familje flitej shpesh për seriozitetin, pasionet dhe për sytë “e zgjut", (siç shprehej në dialektin durrsak im atë) për Harillën. Këto dhunti shfaqen qartë që në shkollimin e tij. Kreu me sukses Kolegjin Tregtar Francez në Selanik, duke u diplomuar si ekonomist. Zotëroi shumë mirë në mënyrë aktive gjuhët greqisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht.
Unë, që në kontaktet e para, në moshën 5-6 vjeçare, në Durrës, më kujtohet kur ai fliste rrjedhshëm dhe bënte shaka në italisht me nënën time italiane Jolandën, që nuk dinte akoma asnjë fjalë shqip. Gjithashtu ruaj akoma vokabolarin (fjalorin) e ilustruar “Petit Larouse” në frëngjisht firmosur prej tij si "Pronë e Harilla Bakallit". Kishte një firmë shumë të lexueshme, por e nënvizonte me shumë rrotullime eliptike, që mua më pëlqente shumë ta imitonja. Të gjithë librat e tij kishin këtë shënim pronësie dhe firmën e tij shumë energjike.
Sipas dokumentave të arkivës, Harilla e fillon jetën e tij shoqërore me aktivitete të suksesshme publicistike. Ngre me forcë problemet politike dhe sociale të Shqipërisë në gazetën "Shekulli i Ri" të Durrësit. Në vitin 1916, në qeverinë e Princ Vidit, ngarkohet me detyrën me shumë përgjegjësi të Kryearkëtarit të Shtetit, pranë Ministrisë së Financave.
Gjatë viteve 1921 -1924, duke qenë këshilltar i Legatës Shqiptare në Athinë, ka kryer dhe një aktivitet të dendur publicistik si në "Shqiptari i Amerikës, "Paqja" e Stambollit, "Drita" e Gjirokastrës, ku mbronte me forcë problemet shqiptare mbi kufijtë, grabitjen e tokave dhe pavarësinë e vendit.
Më 17 Prill 1924 gazeta “Politika”, në faqen e saj të parë boton një foto të Harillës pasuar me këtë tekst :
"Një nga më të mirët atdhetarë dhe të zgjuar që ka sot Shqipëria, i cili ç'prej fillimit të gazetës s'onë ka qenë korrespondenti ynë në Athinë me pseudonimin "Ushtimi i Durrësit", që ka shkruar një shumicë artikujsh të vlefshëm..."
Më 28 Nëntor 1929 me ndihmën e familjeve tregtare të Durrësit, Harilla shfaqet si pronar dhe botues i gazetës " Vullneti" dhe më vonë "Vullneti i Popullit". Në numurin e parë të kësaj gazete shkruan :
"Po dalim në dritë tamam ditën e indipendencës s'onë kombëtare...pse duam t’i tregojmë popullit se ne do të jemi të denjë të ruajmë brez pas brezi këtë indipendencë të shejtë, të fituar me aq gjak dhe aq sakrifica....".
Këto fjalë shpirti, të këtij atdhetari të zjarrtë, mua më kujtojnë "zakonin" e përvitshëm të dajës Harillës për të festuar nëçdo kohë, në paqe dhe në luftë, gjatë rregjimit të Zogut, gjatë pushtimit fashist e tutje, ditën e 28 Nëntorit me gjeldeti, pilaf dhe verë të kuqe, duke uruar me gjithë zemër për pavarësinë e Shqipërisë. Mua më kujtohet kur festimi bëhej në shtëpinë tonë sëbashku me motrën e tij dhe familjen time, se ngulja këmbë (si fëmijë që isha) që të kisha një nga kofshat e gjelit.
Gazeta "Vullneti" luajti një rol të rëndësishëm politik duke mbajtur qëndrime kritike për zgjidhjen e problemeve të brendshëm dhe ndërkombëtarë të Shqipërisë. Në 16 faqet e saj kritikoheshin ministrat, parlamenti, qëndrimet ndërkombëtare duke kaluar dhe në problemet e bujqësisë, shëndetit, gruas, rinisë, sportit, artit e tjerë. Në këtë gazetë shkruanin lirisht duke shprehur mendimet e tyre e gjithë inteligjencia më e dalluar e kohës.
Për qëndrimin e saj kritik, gazeta ka qenë gjithmonë nën kontrollin e autoriteve dhe disa numura të saj u ndaluan të dilnin.
At Gjergj Fishta i madh shprehet kështu: "...fletorja Juaj, rrotull ktij vjeti, nuk e ka djerrë sysh idealin e vet- të mirën e kombit tonë -...për me vozitë ndër tallazet të vshtira të kohvet e të vendit...përgzohemshi prej zemre me Z. t'Uej..e si fletores, si ju, uroj jetë të gjatë e përparim... " etj
Nga viti 1946, koleksionin e tre viteve të kësaj gazete, unë pata mundësi ( siç do tregoj më poshtë) ta kisha në dispozicion dhe ta shfletoja shpesh me shumë interes. Unë lexoja me kënaqësi komente mbi familjet e qytetit të Durrësit, që i njihja, mbi sportin, mbi shfaqjet teatrale dhe muzikore dhe veçanërisht reklamat e shumta me shumë shije dhe humor, megjithëse të viteve ‘30.
Me aktivitetin e tij të gjerë dhe të guximshëm parimor dhe pa asnjë kompromis në mbrojtje të vendit të tij, Harilla Bakalli u rreshtua me patriotët dhe publicistët më të shquar shqiptarë si Faik Konica, Mehdi Frashëri, Namik S. Delvina, Musa Demi, Kostë Çekrezi, Ernest Koliqi, Kristo Floqi, Nebil Çika, Branko Merxhani, Islam Vrioni, Mihal Sherko etj. Vlerat intelektuale të Harillës i kalojnë kufijtë e vendit tonë. Ai, në atë kohë, vlerësohet si figurë e shquar e Shqipërisë dhe prej Enciklopedisë prestigjoze "Who's Who" ( Kush, kë ? ) që botohej në Zyrih dhe ku renditet në njerëzit më të shquar të 17 vendeve të Europës.
Dokumentacioni mbi jetën e Harillës, që kam paraqitur deri tani sipas arkivave dhe shtypit, arrin deri në vitin 1933 kur pas mbylljes së gazetës së tij "Vullneti i Popullit", Harilla emërohet kryetar i dhomës së tregtisë së Durrësit. Dhe pastaj dokumentacionet bëjnë një kërcim prej 15 vjet heshtje deri në vitin 1947, ku vetëm sa njoftojnë vdekjen e tij tragjike në Degën e Brendshme të Durrësit.
Pikërisht në këtë periudhë heshtje të plotë fillojnë kujtimet e mia “të jetuara" me Dajë Harillën e shtrenjtë.
Nga viti 1937, kur unë isha 5 vjeç më kujtohen vizitat e Dajë Harillës në familjen time. Ardhja e Dajës ishte një ditë feste për të gjithë edhe për mua. Unë nuk mund të kuptoja shumë nga ato që bisedoheshin, por merrja pjesë instiktivisht në të qeshurat plot zë e gëzim, që Daja drejtonte me batutat e tij shumë shpotitëse dhe me humor. Më kujtohet që qeshnim për disa foto që Dajë Harilla kishte bërë në Paris. Njëra ishte foto karikature ku Harilla është paraqitur në formë siluete të zezë, në profil me hundë të madhe. Tjetra ishte një montazh, ku Harilla është kacavjerrë duar e këmbë mbi Tur Ejfelin.
Gjatë këtyre vizitave unë ndjeja një marrëdhënie më se vllazërore ndërmjet atit tim Minella dhe Harillës, që këshilloheshin shpesh për gjithçka. Si e kuptova më vonë, ata kishin shumë probleme të rëndësishme të përbashkëta për t’u konsultuar dhe për të zgjidhur. Harilla punonte si kryetari i zyrës së financave pranë bashkisë së Durrësit. Im atë sapo ishte kthyer familjarisht nga Triestja. Me ndihmën e Dajë Harillës ai hapi një dyqan të vogel kinkalerie, por ishte i mbushur me borxhe e kambiale, që skadonin çdo muaj. Kjo është periudha më e varfër e familjes sime. Pa pronësi shtëpie dhe dyqani. Prandaj Dajë Harilla me zgjuarsinë dhe eksperiencen e tij vazhdonte të ishte një "këshillues" fjalëflori për atin tim.
Siç tregonte im atë, në vitet 1924-25, kur ai sapo kishte mbaruar shkollën e mesme tregtare në Milano dhe ishte kthyer në Durrës, ndodhej në vështirësi të mëdha ekonomike. Mbi supet e tim eti 18 vjeçar rëndonte gjithë familja: nëna, motra dhe vëllai i tij dhe im atë në kulmin e dëshpërimit për mospërballimin e gjendjes ekonomike të familjes, i mbuluar deri në grykë prej borxheve, vendosi të rregjistrohej në "Legjonin e Nderit", një formacion ushtarak francez me një disiplinë të hekurt, që mbronte kolonitë e Francës. Aty pagesa ishte e mirë, por siç thotë populli “ishin pare gjaku dhe koke”. Të paktë ishin ata që shpëtonin gjallë. E shqetësuar për këtë vendim të të birit, gjyshja ime Areti, motra e Harillës, me lotë ndër sy i kishte shprehur shqetësimin e saj të vëllait dhe ky duke e ndjerë mirë marrëzinë e këtij akti përdori të gjithë forcën e logjikës së tij derisa e bindi tim atë të tërhiqej nga kjo "aventurë" e diktuar vetëm nga varfëria, duke i shpëtuar kështu jetën.
Disa kujtime të më vonshme të asaj kohe...
Janë kujtime të jetuara të një fëmije dhe si të tillë i përgjigjen kryesisht psikologjisë dhe interesave të kësaj moshe. Në shumicën e rasteve kujtimet e kësaj periudhe kanë dhe ngjarje “të gëzuara", se ato zenë vend “më fort" në kujtesën e një fëmije. Kurse problemet serioze as që i kuptoja…
Ja se si Dajë Harilla, organizoi festimin familjar të një vitit të ri. Jemi nga fundi i viteve ‘30, para pushtimit të Italisë fashiste. Sipas komenteve të prindërve, Harilla kishte treguar gjithmonë një pasion dhe talent të veçantë në organizimin brilant të festimeve të tilla, sepse ai e donte jetën dhe njerëzit.
Çfarë më kujtohet?...Festimi do zhvillohej në dy dhomat e mëdha të shtëpisë së vëllait të tij Vasilit, ku banonte dhe Harilla. Ishin të ftuar me ftesa të veçanta të gjithë kushërinjtë dhe miqtë më të afërt.Vendin e nderit e kishte familja e atit tim, ku ishte dhe motra e dashur e dy vëllezërve, Aretia. Ndër kushërinjtë dhe miqtë bënin pjesë tregtarë të pasur të Durrësit, mjekë, avokatë, gazetarë, që unë i njoh dhe i kujtoj mirë, se bënin pjesë në kushërinjtë dhe miqtë më të afërt, që frekuentoheshim shpesh. Në dhomën e madhe të sallonit ishte shtruar një tavolinë shumë e gjatëe plot mezera italiane “Arrigoni”, ....( Më kujtohet, se fshehurazi futja gishtin në pjata për t’i provuar ). Disa kamerierë të veshur me të bardha, si mjekë, hynin e dilnin duke sjellë gota dhe pjata. Dajë Harilla shumë i preokupuar drejtonte gjithçka. Në mes të tavolinës të mbushur me pjata të mëdha, lugë, pirunj , thika të argjenta, që llamburinin shtrihej një peshk i madh i mbuluar me majonezë të verdhë, i rrethuar me patate dhe ulli e tjera dhe me gojën e hapur të mbushur me jeshillëk. Mua me trembnin sytë e zgurdulluar të peshkut dhe kisha frike të futja gishtin për të shijuar majonezën. Më vonë, kur filluam të hamë e mora vesh, se ai nuk ishte peshk i vërtetë, por një peshk i formuar prej copa të vogla mishi peshku dhe mbuluar me majonezë. Një specialitet francez i preferuar nga Daja. Por kulmi i festës ishte në orën 24, në çastin e kalimit në Vitin e ri. Të gjithë ishim të ulur rreth tavolinës pafund. Harilla u vendos pranë çelësit të dritës. Rrotulloi atë dhe e shoi dritën e sallës për disa sekonda. Errësira e dhomës u prish prej disa xixëllima fishekzjarresh, që dikush po i lëvizte nëpër dhomë. Sapo u ndez drita unë u tremba nga shpërthimi i tapave të shisheve të shampanjave, që disa kamerierë po hapnin dhe një brohoritje urimesh "gëzuar" , "e viva", " çin-çin", që shpërthyen nga të gjithë, që kërcyen në këmbë duke trokitur gotat dhe duke u spërkatur me shkumbë shampanje. Kur u ulëm, secili gjeti para tij një zarf të ngjyrosur, ku kishte një kartolinë urimi për Vitin e ri dhe një...tullumbace, që duhej fryrë…Çdo tullumbace pasi fryhej merrte pamjen e një personazhi të përrallave dhe të filmave... si “I Holli me të Trashin” (Laurel e Hardi), si dhe gjithë personazhet e Walt Disneit. Nuk mund t’i kujtoj të gjithë...Mua më kishte dhënë personazhin e Topolinos....Kurse dikujt që thoshnin se ishte kurrnac...i kishte rënë Xha Paperone (Zio Paperone)! Më duket se mua m’u çpua Topolinoja dhe fillova të qaj, se doja tullumace tjetër…
Pastaj filloi vallzimi. Në sallën tjetër...mbesa e Harillës, Nini (Llambrinia) i binte pianos dhe të gjithë filluan të vallzojnë...Sipas komenteve të nënës dhe atit tim, që të gjithë filluan të këndojnë këngët e kohës, por edhe pjesë nga operetat si ato të Shtrausit, romanca nga të Shubertit, Shumanit etj., në italisht, frëngjisht, greqisht etj. Nëna ime ishte e vetmja italiane në fushë dhe të gjithë kërkonin të shkëmbenin ndonjë batutë me të në gjuhën italiane. Të gjithë ishin laureuar në Perëndim, pra e dinin italishten shumë mirë. Këtë unë e kisha kuptuar gjatë vizitave familjare, ku të gjithë në familjet e tyre flisnin italisht.
Dajë Harilla, i veshur me një kostum të zi, që e quanin frak, e mori nënën time për të kërcyer. Pas tij u sulën të gjithë. Flisnin, qeshnin dhe kërcenin duke e rrotulluar nënën si të çmendur. U bëra shumë xheloz !...
Meqenëse përmenda pianon, do të kujtoj një pasion të veçantë të Dajë Harillës. Ai ishte shumë i apasionuar ndaj muzikës klasike. Në gazetën e tij kisha lexuar shumë artikuj mbi aktivitetet muzikore dhe për artistët lirikë në Shqipëri. Ai kishte një simpati të veçantë për sopranon tonë të mirënjohur të asaj kohe, Tefta Tashko Koço. Ai u njoh veçanërisht me të dhe u interesua të organizojë një koncert të saj në kinema “Gloria” të Durrësit. Mua nuk më morën, se si "kalama" do të mërzitesha. Por, mbaj mend në shtëpi të diskutohej për këtë interesim dhe simpati të veçantë të Harrillës ndaj Teftës. Kujtoj, që Harrilla në atë kohë ishte beqar, ashtu siç mbeti për gjithë jetën… Ai e ftoi dhe në shtëpi për të organizuar një koncert familjar, por ky nuk u bë, se pianoja doli pak e stonuar. Unë kam një letër të shkruar me dorë nga vetë Harrilla, që i sqaron Teftës këtë problem. Letrën ma ka dhënë i biri i Teftës, Mjeshtri i Madh Eno Koço, që e falenderoj sërisht.
Ja letra e Harillës drejtuar artistes së madhe:
Durrës më 24.XII-1936
Zonjushë,
Ju falenderoj për kartën tuej të bukur. Ç’ka mujta të bëj për Juve qé kurgja kundrejt kënaqsis shpirtnore që, talenti i Juej i rrallë, i dhuroi durrsakve dhe mue gjatë çasteve të Koncertit t’Uej të 8 Dhetuerit.
Ajo darkë ka lanë nji kujtim të pashlyeshëm ndër zemrat e muzikdashësve të këtushëm të cilët do Ju ishin edhe më mirënjoftës po qé se do t’a përsërisni.
Shpresoj se mbas nji ose dy muejsh pjanoja e ime të ndërtohet në shkallë që të mund të Ju shërbejë për koncertin e ardhshëm.
Me rasën e kremtimeve të Krishtlindjes dhe Vitit të ri
Ju uroj çdo lumturi dhe përherë suksese
Harilla Bakalli
Zonjushës
Tefta Tashko
Në Korçë
Një tjetër kujtim...Një ditë, gjithmonë nga viti 1937 Harilla na ftoi familjarisht në plazhin e Durrësit për të kaluar të dielën sëbashku. Harilla, me shumë vështirësi kishte blerë një barrakë të vogël prej dërrase në plazhin e Durrësit. Ai nuk kishte dhe nuk do ketë në Durrës asnjëherë një shtëpi të tij. Ai mbeti absolutisht i ndershëm dhe parimor para vehtes dhe Zotit. Barraka kishte vetëm një dhomë, sa për t’u çveshur dhe ishte e mbështetur në katër shtylla, që e ngrinin ndonjë metër nga rëra. I kujtoj këto hollësira, se i kam në fotografi. E kaluam shumë mirë. Harilla, si zakonisht u kënaq me turlinë pikante me speca e patlixhanë, me mish, të mbytur në vaj dhe salcë, që ishte specialiteti i të motrës Areti, gjyshes sime të dashur. Harilla, thoshte durrsakshe: "Është ba për me lëpi gjishtat!" dhe i lëpinte vërtet duke qeshur…para të gjithëve.
Pas banjos së lodhshme në det dhe në diell, me barkun e mbushur me turlinë, kërkuam të merrnim një sy gjumë të shtrirë njëri pranë tjetrit në dyshemenë e dhomës së vetme të barrakës. U zgjuam duke kërcyer në këmbë nga një lëkundje e vazhdueshme e gjithë barrakës. Shumë thirrën "tërmet!"... dhe të gjithë kërcyem jashtë. Ç'të shihnim?! Një lopë e bëshme po kruhej lezetshëm në faqen e barrakës. Duket si përrallë, por unë e kujtoj shumë mirë skenën komike për të larguar lopën, që për pak po shembte barrakën.Vetëm shumë vite më vonë, në këtë tokë, Daja arriti të ndërtojë një shtëpi të vogël njëkatshme. Këtë e di mirë, se ruaj akoma kontratën e bërë tek sekseri Bejleri i Durrësit.
Një tjetër kujtim...I treguar me shumë humor prej Dajë Harillës. Në atë kohë ishte përhapur moda italiane e shamive të holla "fantazi" ngjyra ngjyra si pikturë abstrakte, që vajzat lidhnin në qafë. Në qendër të Durrësit, në bulevardin e "madh" u hap një dyqan shumë i vogël, ku dy djem përfaqësonin këtë modë shamiash. Tregtia filloi të ketë sukses. Por një ditë, një mik i Harillës paraqitet në zyrën e tij në Bashki dhe i tregon një "leckë" të çngjyrosur keqas. "Shiko se si i dolën menjëherë ngjyrat kësaj shamie "fantazi" italiane, sapo u lag nga uji!...” Harilla, që nuk ia falte mashtrimin as kërkujt, e mori shaminë dhe u nis drejt e për në dyqanin "fantazi".
Tregonte Harilla: "Sapo hyra në dyqan më tërhoqi vemendjen një perde që mbulonte pjesën e prapme të dyqanit. E ngrita perden...e çfarë të shihja!...Katër kuti me bojëra të ndryshme dhe një hekur për të hekurosur. Gjatë natës dy të rinjtë "kokë fantazie" hekurosnin copa nape të zakonshme, pastaj i spërkatnin me bojëra fantazi dhe shamitë ishin gati për shitje…"
Sapo u ngrit perdja dy të rinjtë ia mbathën vrapit dhe u zhdukën nga dyqani, por Harilla i njihte mirë familjet e tyre dhe kërkoi që t’iu kthenin të gjitha paratë e fituara vajzave, që ishin mashtruar prej këtyre "fantazive" të rreme.
Në periudhën e mëvonshme, gjatë pushtimit italian, luftës italo-greke dhe bombardimeve të rënda të Durrësit prej anglezëve, familjet tona u larguan në Kavajë dhe pësuan mjaft ndryshime të rëndësishme sociale. Megjithatë kontaktet me Dajë Harillën i kemi patur të vazhdueshme.Veçanërisht pas çdo bombardimi në Durrës, ai vinte të na takonte për t’u siguruar për shëndetin tonë, kurse në Kavajë ai u bë shkuesi për fejesën e motrës së tim eti , hallës sime Krisanthipi, me një shok të ngushte të Dajë Harillës, juristin Todi Gjini.
Në këtë kohë në Durrës filloi të organizohej Lëvizja Antifashiste dhe aksionet e saj kundër fashistëve italianë. Në jetën e Harillës, tani ndërhyn një faktor i rëndësishëm. Nipi i tij, Spiro Bakalli, ose si e quanin shokët Pipi, djali i madh i Vasilit, braktis studimet jashtë shtetit, në Monpelje të Francës dhe si shumë idealistë të tjerë kthehet në Shqipëri për të venë kulturën dhe formimin e tij të veçantë në shërbim të përparimit të vendit. Pra, nacionalisti Harilla, ka tani në familjen e tij një drejtues shumë të rëndësishëm të Lëvizjes Antifashiste.
Ndërkohë tregtia e tim eti pati sukses dhe ai arriti të bëhet tregtar i pasur. Unë në këtë kohë kam qenë 9-10 vjeç dhe shumë nga ngjarjet e kohës i kam kuptuar më vonë. Më kujtohen gjithmonë takimet e shpeshta ndërmjet tim eti, xhaxhait, Dajë Harillës dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Antifashiste, si në dyqan dhe në shtëpinë tonë. Im atë i quante "çunat e rinj, që do të çonin Shqipërinë përpara".
Pra, familja ime dhe Dajë Harilla filluan të jetojnë një kohë të ngjeshur me aksionet e para të Lëvizjes Antifashiste, mbledhje dhe strehime ilegale, ndihma për Lëvizjen, arrestime, spiunime. Filluan dhe daljet e para ilegale dhe siç thuhet "dalje në mal".
Harilla në këtë kohë ishte anëtar i Frontit Nacionalçlirimtar për Durrësin.
............................
Kujtimet e mia kalojnë tani në vitin 1944 në Tiranë, gjatë pushtimit gjerman. Në këtë periudhë, Harilla kalonte herëpashere disa netë në shtëpi miqsh të ndryshëm, se siç i thoshte ai vetë të motrës ( gjyshes sime) "ishte në rrezik arrestimi ". Që në pushtimin italian ai konsiderohej antifashist, se të gjithë e njihnin si patriot të madh nacionalist. Pastaj, pas daljes së nipit të tij Spiro partizan, e ndiqnin dhe si “filokomunist”.
Ne banonim në një vilë, në rrugën e Varrit të Bamit (Rruga e Dajtit) në Tiranë. Çdo natë para portës prej hekuri të oborrit shpërthenin batare armësh ndërmjet grupeve partizane, që zbrisnin nga mali i Dajtit dhe njësive të xhandërmarisë.
Një natë kishim bujtës në shtëpi Dajë Harillën. Ishim duke ngrënë darkë kur u dëgjua një goditje e fortë mbi pllakën e hekurt të portës. Fakti, që nuk i ranë ziles dhe sidomos egërsia e goditjes na shqetësoi të gjithëve. Sapo hapëm portën u futën brenda katër burra të lartë, me mjekra, me qylaf të bardhë dhe të armatosur me automatikë, kobure dhe disa gjerdanë fishekësh. "Kush është Harilla Bakalli?” Pyeti njëri prej tyre në mënyrë mjaft të vrazhdë.
Harilla, që ndodhej pranë portës doli përpara: " Unë jam " i tha krejt i qetë. "Do të vish me ne vetëm për disa pyetje ". Harilla veshi pallton dhe u largua mes tyre. Kaloi një orë...Asnjë përgjigje. Im atë, në të vërtetë ishte shumë i shqetësuar që kur u largua Harilla, por nuk fliste, se mos shqetësonte nënën e tij, motrën e Harillës.
Më vonë im atë shkoi në zyrën e Xhandërmarisë, që kishim përballë. Nuk dinin gjë. Të nesërmen për gjithë ditën ai u interesua nëpër të gjitha zyrat e Xhandërmarisë të Tiranës. Përgjigjeshin prerë se nuk kishin arrestuar Harillën. Atëhere im atë u këshillua me një korrier të Lëvizjes, që vinte çdo muaj për të tërhequr ndihmat. Ai i foli për një organizatë ilegale “Mbrojtja Kombëtare”, që pa pyetur kënd “pastronte” elementët komunistë dhe të lidhur me Lëvizjen. Por për të kontaktuar kryetarin e saj duhej shkuar në hotel “Dajti”, ku ishte qendra e gjithë organizatave të kohës. Nga ç'na tregoi im atë më vonë, mësova se e kishin drejtuar në një dhomë të Hotel “Dajtit”, ku nën grykën e një mitralozi të mbështetur me tre këmbë në mes të dhomës, pas një “pazarllëku” të ulët, i kërkuan një sasi floriri për ta liruar Harillën.
Pas dorëzimit të shumës nga im atë, Harillën “e dorëzuan” më shumë të vdekur se të gjallë në një rrugicë të pazarit të vjetër. I kishte këmbët pothuaj të paralizuara, kaq sa nuk ecte dhe nuk qëndronte as në këmbë .
Pasi Harillën e sollëm në shtëpi, mjeku e vizitoi, u shqetësua shumë për gjendjen e këmbëve, se mund të ndodhte një infeksion i rrezikshëm. Në atë kohë nuk kishte akoma antibiotikë, prandaj ai na tregoi se si duheshin bërë pastrimet dhe dizinfektimet e plagëve çdo natë. Me mjekimin u muar nëna ime Jolanda me ndihmën time, se ajo në këtë kohe ishte shtatzënë me motrën time të ardhshme, Eleni. Këto netë janë të paharrueshme për gjithë familjen time, se Harilla tregonte...
Që natën e parë të arrestimit e kishin mbyllur në një bodrum në pazarin e vjetër. E kishin akuzuar si tradhëtar komunist, që kishte shitur vendin, duke i kujtuar nipin e tij komisar brigate. Harilla i ishte përgjigjur, se gjithë jetën kishte punuar për të mirën e vendit, për Shqipërinë...Atëhere i kishin kërkuar të lëshonte një deklaratë kundër komunizmit dhe të shante komunistët... I kërkuan të tregonte se ku ishin bazat ilegale komuniste, ku shtypeshin traktet… Harilla nuk foli…dhe filluan torturat. E ulën në një karrige me duar dhe këmbët të lidhura. Në fillim njëri nga prapa i rrotullonte majat e gjishtrinjve duke i shtypur me forcë mbi tëmthat dhe kur ato fryheshin plot gjak, largonte duart dhe tjetri i godiste fort me shuplakë. Tregonte Harrilla: "Ndjeja që gjaku shpërthente si curril nga tëmthat dhe një therrje e fortë si thikë më shponte kokën, pas së cilës nuk ndjeja më gja, se humbja ndjenjat. Kur zgjohesha isha me kokën e varur përpara dhe të lagur me ujë për të më sjellë në vehte.” "Shaj komunistët!...Ku i kanë bazat?...." “Nuk e di", thërriste Harilla, " Unë jam nacionalist!". Tortura përsëritej. Pas çdo ardhje në vehte Harilla shikonte se një varg shishesh, që kishte përpara vinin duke u pakësuar. Ishin shishe me ujë që i përdornin për ta sjellë në vehte. Pas pesë shishesh ...("koka më ishte bërë plagë"), dëgjonte përreth vetëm britma. Nuk po vinte më në vehte, kishte rënë në kllapi...Atëhere ndryshoi tortura… Filloi djegia e këmbëve me hekur të skuqur…
Tani, ato këmbë, unë i kisha përpara për t’i kuruar. Ato këmbë të holla, në trupin e brishtë të Harillës, unë nuk mund t’i harroj kurrë! Në to ishin hapur gropa të thella në muskujt e këmbëve, gropa mishi të djegur, të nxira deri në kockë. Ato vrima i pastronim, i lanim, pastaj i mjekonim dhe i fashonim sëbashku me nënën time për natë. Harilla e bekonte me gjithë zemër nënën Jolanda, këtë italiane të thjeshtë, që po kryente me kaq dashuri detyrën tradicionale të një shqiptareje të vërtetë.
Harilla vazhdonte tregimin....
Një ditë, në mëngjes vinë dy vetë, që e ngrejnë peshë dhe e trasportojnë në një veturë. "Shpëtove! Tani do të të çojmë në shtëpi! ", i thanë duke qeshur gjithë ironi. Por, vetura mori rrugën jashtë Tiranës për nga Bregu i Lumit. E qeshura ironike në fytyrën e tyre dhe armatimet pa fund që kishin me vehte e bindën Harillën se i kishte ardhur fundi. Po e çonin për ta pushkatuar, por pas disa kilometrash vetura bëri një gomë dhe në mes sharrjeve të xhandarëve u kthye me vështirësi prapa për të riparuar gomën. Pikërisht, në brëmjen e kësaj dite im atë, Minella, kishte dorëzuar arin në hotel “Dajti” dhe Harilla shpëtoi për qime nga pushkatimi…
Pas kësaj ngjarje Daja kaloi në zonën e çliruar dhe u takuam me të vetëm pas çlirimit.
Kujtimet e fundit me Dajë Harillën i kam pas çlirimit, në vitet 1946-1947.
Në këto vite, familjet tona kishin pësuar goditje politike dhe shoqërore shumë të rënda. Harilla ishte ngarkuar me detyrën shumë të përgjegjshme, të drejtorit të portit të Durrësit. Ai banonte vetëm në një vilë të atit tim, në kodër të qytetit. I vëllai, Vasili, ishte në burg, i dënuar si pjesmarrës në “grupin e deputetëve”. Harilla e donte shumë vëllain e madh dhe i ankohej të motrës me dhimbje: " E akuzuan në gjygj si agjent…se faturat e tregtimit i drejtoheshin “agjent Vasilit”...por “Agjent” do me thanë përfaqësues për shitje të vezëve, që tregtonte Vasili...Për me qa e për me qesh”.
Edhe im atë, Minella, nipi i Harillës, ishte në burg, se i kishin caktuar një tatim, që sipas dokumentave, ishte mbi katër herë të vlerës së gjithë pasurive të tij. Po ashtu të gjithë tregtarët dhe intelektualët, kushërinj dhe miq, që kam përshkruar në fillim të këtij shkrimi, ishin të burgosur ose të internuar. Xhaxhai im, Jani, kryente shërbimin ushtarak në Tiranë, kurse djali i Vasilit, ish komisari Spiro Bakalli, ishte në ministrinë e Financave në Tiranë. Sipas ligjeve në fuqi, tim eti iu shpronësua shtëpia e re, ku sapo kishim hyrë (ish Muzeu Arkeologjik në Durrës) dhe familja ime, e mbetur jo vetëm pa shtëpi, po edhe pa kryefamiljar (se burri i vetëm i shtëpisë isha unë 14-15 vjeç) u shpërngul për në vilën në kodër, ku banonte Harilla. Kështu fillon një bashkëjetesë disavjeçare sëbashku me Harillën, i cili luan praktikisht rolin e kryetarit të familjes sime.
Në këtë kohë unë ndiqja shkollën unike të qytetit. Daja punonte gjithë ditën në port dhe vinte vonë natën shumë i lodhur. Megjithatë herëpashere interesohej për mbarëvajtjen time në mësime dhe më kontrollonte sidomos fletoren e matematikës.
Kam mjaft kujtime të kësaj kohe...
Në këtë periudhë, pata mundësinë të shfletoja shpesh koleksionin e gazetës “Vullneti”, ku Daja kishte qenë dhe pronar dhe botues. Siç e kam kujtuar dhe më lart, unë megjithëse nuk mund të kuptoja shumë nga artikujt kryesorë, interesohesha kryesisht për artikuj mbi artin, sportin , kritika me humor dhe reklamat me shumë shije.
Në një dollap ndodhej një enciklopedi greke prej 30 volumesh të mëdha. Ishte pronë e burrit të hallës, Todi Gjinit, që ishte transferuar në një qytet tjetër. Unë i shfletoja shpesh këto volume për të parë fotot shumë të bukura të automjeteve, aeroplaneve, trenanave, anijeve, kafshëve etj. Një ditë gjeta një faqe të tërë ku ishin paraqitur që të gjitha speciet e peshqeve. Meqenëse unë merresha me peshkim më pëlqente që këtë tabelë ta kisha pranë krevatit, që ta shihnja vazhdimisht. Shkurt e preva me brisk dhe e vara si kuadër pranë shtratit. Do ti, që krejt rastësisht e shikon Daja. Më thërret shumë i shqetësuar duke mbajtur faqen e peshqëve në duar. Duart i dridheshin. Nuk e kisha parë kurrë kaq të shqetësuar. "Pse e ke prerë këtë fletë nga enciklopedia ?" " E ngjis përsëri në vend", i thashë unë si pa të keq. Përgjigja ime i ngriti më shumë nervat. Ngriti dorën gati për të më goditur ."E di ç’vleftë kanë ato libra? E di se ç'faj ke bërë? " thirri me dhimbje të madhe. Më urdhëroi që ta vija fletën në vend dhe të mos e prekja më enciklopedinë. Përfundimi, libraria u mbyll me dryn, por unë çelësin ia merrja gjyshes dhe vazhdoja të shikoja jo vetëm peshqit, por edhe llojet e kafshëve, të trenave dhe sidomos…avionat. Ato më çmendnim fare!
Siç thashë, ishin kohëra të vështira. Çdo mëngjes vinin lajme për arrestime të reja, internime, dënime, ekzekutime, por ajo që na ngrinte gjaku ishte lajmi, se dikush, nga që nuk kishte duruar torturat në degën e brendshme ishte hedhur nga dritarja…Të gjithë e merrnin me mend, se në të vërtetë ai kishte vdekur nën tortura dhe për të justifikuar krimin i hidhnin nga dritarja. Po për familjet që kishin njerëz të arrestuar nën hetim, si familja jonë, në çdo çast mund të vinte një lajme ogurzi, që të tërhiqej trupi pa jetë i famijarit. Në këtë kohë akoma trupin e të vdekurit nën torturë në birrucat në degë ia dorëzonin familjesd, më vonë kjo nuk ndodhi më. Të vdekurit fatkeq nuk i dihej varri…
Dajë Harilla, kur kthehej nga puna nuk i komentonte kurrë këto ngjarje edhe kur gjyshja, motra e tij, i tregonte për to ai ngrysej në fytyrë dhe kërkonte të na qetësonte me fjalët "se nuk e dimë si është puna. Ne duhet të shikojmë punën tonë."
Unë dhe familja gjatë kësaj kohe kishim lidhje të shpeshta me burgjet e qytetit. Unë çdo mëngjes do t’i dërgoja ushqimin tim eti në burgun brenda në qytet, në bastionin e parë venezian, në fillim të rrugës së Vilës Mbretërore. Pastaj një herë në jave duhet të shkonim familjarisht në burgun e madh të kriminelëve jashtë qytetit, për të parë ( se nuk lejohej asnjë lloje takimi) Dajë Vasilin, vëllain e Harillës. Por në këtë kohë m’u shtua dhe një tjetër “shërbim”, dërgimi i drekës Dajë Harillës në port, se ai nuk arrinte të vinte në shtëpi. Por ky "shërbim" mua më pëlqente shumë, se hyja në port dhe shihja anijet. Zyra e Dajës ndodhej në katin e dytë të vilës së djathtë të hyrjes në port. Një zyrë krejt e çveshur: dy tavolina dhe një foto të Enver Hoxhës i veshur si gjeneral. Në njërën tavolinë gjeta një djalë të ri, që më pyeti i interesuar se i kujt isha...Iu përgjigja, por sigurisht nuk i thashë se e kisha tim atë tregtar të pasur dhe në…burg.
Një ditë u çmenda nga gëzimi...Daja nuk ishte në zyrë dhe roja me lejoi të afrohesha në buzë të detit ku do gjeja Dajën. Kalatat e portiti ishin kthyer në gërmadha nga shpërthimi i minave gjermane dhe disa motoskafë të vegjël shërbimi ishin kthyer në hekurishte të fundosura. Mbi gërmadhat e kalatave kishin mbështetur sportelet e tyre disa anije zbarkimi amerikane prej ku dilnin disa kamiona të ngarkuar me thasë, ku shkruhej UNRRA.
Më shpjegoi një punëtor shkarkimi, se "Garilla ( kështu i thoshnin punëtorët Dajës) do të vijë tani me mallin nga pampori". Dhe pas pak u duk një barkë e madhe me motor nga ato të ndonjë shekulli më parë, që po afrohej e mbushur deri lart me arka të mëdha UNRRA. Mbi arka, një burrë i imët në këmishë e mëngëpërveshur, që mbahej në litarët e dyrekëve si Sandokani i Salgarit - Daja im Harilla! Siç tregonte dhe vetë ai, duhej të ishte gjithmonë në krye të shkarkimit të mallit, që të mos lejonte asnjë abuzim. Më falenderoi që i solla ushqimin dhe u ul në një gur të skelës së shkatërruar për të ngrënë drekën. Filloi të përtypë shpejt e shpejt ushqimin që i solla, se do të nisej përsëri…për të vazhduar shkarkimin e kontrolluar prej vaporit të madh deri natën vonë. Mua nuk më bëhej të largohesha nga deti. Aty pranë po shihnja disa fëmijë, “skunjicët” e Durrësit, që iu ishin afruar anijeve të zbarkimit të flotës..... dhe e po iu kërkonin çamçakiza marinarëve amerikanë…
...................
Një mëngjes u zgjova i trembur nga të qarat me dënesë të gjyshes dhe të nënës sime të përqafuara me njëra tjetrën. "Mbrëmë e…morën Dajën..." më tha në mes lotëve nëna. Fjala “e morën” në atë kohë ishte një formë "zbutje" e fjalës së llahtarshme “arrestim”.
“Pas pak që Daja ishte kthyer nga porti, më tregoi nëna, sikur po e prisnin, ishin paraqitur tek porta tre civilë që e kërkonin.
Ata hynë në dhomën e tij dhe pas pak dolën sëbashku me të. Daja ishte i veshur me pardesy dhe kapelë. "Harilla do vijë me ne se do t’i bëjmë disa pyetje", foli njëri prej civilëve.”
Nëna e përlotur vazhdoi të tregojë: “Si unë dhe gjyshja e kuptum se ç’donin të thoshnin ato fjalë dhe nuk i mbajtëm më lotët…”
Ajo nuk e kishte parë kurrë dajën kaq të zymte dhe truplëshuar. Ai i përqafoi që të dyja me shumë dashuri. Nëna, më tepër për të shkëmbyer një fjalë me Dajën para se të largohej, i kujtoi se nuk kishin asnjë lek për ushqimin e ditës së nesërme. Daja e pa pak mendueshëm, bëri dy hapa prapa dhe i zgjati nënës grushtin e mbyllur. Shkëmbimi, që bëri me nënën, nuk shihej prej tre "mysafirëve", se Daja i kishte mbuluar me trupin e tij. Në këtë mënyrë kokëulur dhe në heshtje, Daja Harilla Bakalli, humbi përgjithmonë në terrin e natës…
Pas pak, kur nëna hapi grushtin, gjeti në të tufën e çelësave të sirtarit "sekret" të Dajës. Në sirtar gjetën me gjyshen disa foto nga jeta e Harillës, disa dokumenta dhe pak lekë.
Të nesërmen erdhi urdhëri, që vila ishte sekuestruar dhe çpronëzuar, pra duhet "ta këputnim qafën" brenda ditës. As që të caktonin vendin ku të përplasje kokën! Gjyshja vendosi që t’i kërkonte ndihmë Marios, djalit të vogël të Vasilit, që kishte vend për të na strehuar, se i ati vazhdonte të ishte gjithmonë në burg..
Si dhe shtëpinë e parë edhe këtë të dytën e sekuestruan plot me mobilje dhe orendi. Dhe enciklopedinë e madhe greke e lamë aty… Si t’i merrnim dhe sidomos ku t’i çonim?! Ne nuk po gjenim vend ku të futnim kokën, jo pastaj plaçkat. Por tre koleksionet e gazetës “Vullneti” të Dajë Harillës m’u dhimbsën shumë! Nuk kisha mundësi t’i merrja me vete, por as aty nuk doja t’i lija. Atëhere vendosa t’i dorëzoj në bibliotekën e qytetit të Durrësit. I ngrita në krah me vështirësi, se ishin mjaft të rëndë, kapëxeva murin e kalasë, që ngrihej mbi vilë dhe zbrita drejt në bibliotekë, ku...ja dorëzova drejtorit të atëhershëm së bibliotekës së Durrësit, zotit Vangjel Toçit, që më njihte mirë familjarisht...
Mendoj dhe shpresoj, që të jenë gjithmonë aty, në ndihmë të gjithë studiuesve të interesuar.
Kushëriri Mario, që ishte dhe mjaft i ri, rreth të njëzetave, u tregua shumë i gatshëm të na strehonte në një nga dhomat e tij dhe praktikisht si i vetmi burrë “i rritur”, u kthye në një kujdestar të ri të familjes sime. Ai punonte në Bashkinë e qytetit dhe nga vizitat që kisha bërë në zyrën e tij më kishte bërë shumë përshtypje autoriteti dhe simpatia që kishte me punonjësit e tjerë. Shkruante, firmoste, përgjigjej majtas, jepte urdhëra djathtas dhe të gjithë përgjigjeshin me "peqe...peqe..shoku Mario ". Më pëlqente shumë tingulli i fjalës “peqe”...e konsideroja një lavdërim të punës së kushëririt tim. Ndoshta edhe nga mosha, por më tepër nga tipi i gëzuar dhe i shkathët i Marios, unë u miqësova shumë me të. Por gjendja shoqërore e Marios tani ishte keqësuar akoma me shumë. Atin e tij, Vasilin, e kishte në burg, tani dhe xhaxhai Harilla ishte në birucat e Sigurimit, kushërinjtë e parë, si im atë e të tjerë kushërinj, të gjithë në burg. Kishte vetëm një pikë mbështetje, vëllain e madh Spiron, ish komisarin e brigadës, tani me funksione të rëndësishme në ministrinë e Financave.
Megjithatë për të lehtësuar pak gjendjen shpirtërore të dëshpëruar të familjes sime, ai forcohej të ishte optimist dhe i qeshur. Kishte qejf të tregonte dhe barcoleta aktuale, që i tregonte shumë bukur.
Kujtoj, se në atë kohë gjendja ekonomike dhe tregu, ishin në një gjendje tmerrësisht të mjerë. Në pazar gjeje vetëm presh dhe ftonj të thartë. Mario tregonte me shumë seriozitet: " Mbrëmë desha të bëja një darkë të mirë dhe...e shtrëngova mirë nga qafa, që të mos lëvizte...mora thikën dhe fap…e fap e therra...Buuuu gjaku dhe dhjami...u mbush dhoma me yndyrë…ishte shumë i majmë ....prasi që therra...”
Në këtë periudhë mua m’u ndryshua "drejtimi" i dërgimit të drekës për Dajë Harillën. Nuk shkoja më në port, por në Degën e Brendshme të Durrësit. Kur afrohesha për nga ndërtesa ogurzezë e Degës nuk kaloja nën dritaret e saj, por si të gjithë qytetarët kaloja nga trotuari përballë, se në çdo çast mund të binte në kokë ndonjë...trup prej “të pandehurve”, që "hidheshin" për t’iu shpëtuar torturave. Pastaj do prisja ulur në shkallët e Degës derisa oficeri të thërriste emrin për të marrë ushqimin. Nuk ishte një pritje kaq e mërzitshme, se ishim mjaft fëmijë, që sillnin ushqimin për baballarët e tyre dhe fillonin muhabetet dhe shakatë. Kishte raste kur ndonjërit nuk i pranonin ushqimet duke i thënë se "babai nuk ka më nevojë të ushqehet…" dhe fëmija fatkeq kthehej në shtëpi me ushqimin dhe me lajmin e kobshëm, se familjari i tij nuk jetonte më…
Një ditë po dilte nga Dega një oficer i gjatë, i veshur me kostumin e Sigurimit me shirita blu. E njoha, ishte një kushëri shumë i afërt, që gjithmonë më kishte ndalur në rrugë dhe ishte interesuar për gjendjen e familjes dhe për tim atë edhe kur ky i fundit ishte në burg. I gëzuar i dola përpara për ta takuar, por ai nuk më dha fare të njohur dhe iku drejt… "Sigurisht nuk më ka parë", mendova…
Gjatë kësaj kohe, pasi kreva muajin e aksionit të rinisë, hyra në një punë si numërues i thasëve të miellit të UNRRËS, pranë një magazine grumbullimi, sa për të marrë ndonjë lek për vete.
Një ditë po shkoja në punë si zakonisht, në mëngjes herët, kur se ç'pata një ndjenjë të çuditshme të kthehesha në shtëpi. Vazhdova rrugën, kur ja, në një kërcim të një grope më bije diçka nga xhepi dhe dëgjoj një zhurmë thyerje. Më kishte rënë pasqyra e vogël dhe ishte bërë copë e çikë. Më ngriu gjaku. Gjyshja, thyrjen e pasqyrës e quante si shenjë shumë ogurzezë, të një fatkeqësie të afërt. Ndjenja “e dëshirës" për t’u kthyer në shtëpi u forcua akoma më shumë. Vendosa, u ktheva…
..................
Sapo hyra në rrugicën e ngushtë me kalldrëm, që me çonte në shtëpi, dëgjova nga fundi i rrugicës një zhurmë hekurishtash, që po rrokulliseshin mbi kalldrëm. Vura re, se nga fundi i rrugicës po afrohej një karrocë transporti e tërhequr me kalë dhe me rrota hekuri, që bënin atë zhurmë metali të ndryshkur. Ç'do jetë kjo karrocë? Në atë kohë në Durrës nuk shihje as makina, por edhe karrocat ishin të rralla. Para karrocës ishte një burrë kokëulur, që po ecte me vështirësi. E njoha ishte kushëriri ynë doktor Dhimitër Vokopola. Edhe ai më njohu dhe më bëri me shenjë që të afrohesha...Sapo iu afrova ai më përqafoi me shumë dashuri dhe me dhimbje më pyeti " A është gjyshja Areti në shtëpi ?" dhe vazhdoi duke u përlotur: "Ja...po i sjellim Harillën e dashur!" dhe hodli sytë nga karroja. Unë ngriva në vend. Një therrje e thellë më la pa frymë. Para meje kaloi kali, pastaj karroca duke kërcyer nëpër kalldrëm dhe brenda saj dallova një masë të imët të mbuluar me një batanie të lerosur...dhe në fund të batanies dilnin dy këmbë të holla, që i njoha mirë...Ato lëkundeshin herë majtas herë djathtas sipas gurëve të kalldrëmit, sikur të ishin të gjalla dhe përpëliteshin…
Thirrjet e mekura të gjyshes, që kishte dalë tek porta e mbajtur prej krahu nga doktori dhe nëna ime, më sollën në vehte . " U ktheve në shtëpi, or vëlla? Po si u ktheve kështu? !" dhe u shkreh në kujë dhe vaj.
Trupin e Dajës, si për lojë të fatit e shtrimë në një krevat në mes të dhomës së madhe, ku ai disa vjet më parë organizonte festat e mëdha të stilit europian…
Gjyshja, ngadalë filloi të ulë batanien...Gjatë shpalosjes së palëve të batanies përhapeshin në ajër dhe binin pastaj ngadalë në dysheme disa si luspa të holla të bardha. Ishin fletë të holla lëkure…Dihej, në atë kohë se ato prodhohen nga goditja e lëkurës me dru. Kur batania zbuloi fytyrën, që të gjithë në dhomë ngrimë në vend të llahtarisur. Fytyra ishte e ngritur lart dhe dy sy të mbyllur si të shtrënguar me forcë, me një gojë të hapur, transmetonin në atë dhomë të heshtur një thirrje të fuqishme, që dilte nga thellësia e shpirti.
Pulset kishin ngrirë të kryqëzuara dhe pothuaj të çarë prej ullijave të thella deri në kocka, që kishin lënë telat e hekurta. "Si të paskan bërë kështu, mor vëlla?!”, klithi gjyshja duke u ngashëryer në mes të lotëve dhe duke goditur me grushte kokën. “Pse?!...Pse…kështu?!”
Nëna, Mario dhe unë u shtrënguam gjithmonë e më fort me gjyshen duke qarë sëbashku me të. Në këmbët tona ishte strukur e lebetitur motra ime trevjeçare Eleni, që nuk po kuptonte se ç’kishte ndodhur…Doktori kërkoi t’i mbyllë gojën Dajës së shkretë. Jo!...Ajo nuk mbyllej! Kishte ngrirë ashtu e hapur nën shkarkimet elektrike me tension të lartë! Gjyshja ia mbuloi fytyrën të vëllait me shaminë e saj.
Pastaji i tha ngadalë doktor Vokopolës, që Harilla duhej të shkonte i pastër dhe i veshur bukur para Zotit…Por, doktori i nderuar i tha gati me zë të shuar: “E dashur Areti, mos provo ta çveshësh, se do të mbetet në dorë lëkura e trupit të tij…” Gjyshja filloi përsëri vajin e saj këtë herë më me kujë…
Unë kurrë, për gjithë jetën time, nuk mund të harroj atë gojë të hapur! Kështu mbeti ajo e hapur edhe nën tokën e kodrinës, ku Harilla u varros, përballë gjirit të Durrrësit të tij, për të cilin kaq shumë kishte vuajtur dhe adhuruar. Ai gjithmonë "gojëhapur" ka ditur të thërrasë me burrëri të rrallë kundër çdo padrejtësie në mbrojtje të Atdheut të tij të shenjtë, Shqipërisë. Edhe para hekurit të skuqur të terrorit të bardhë, ai është përgjigjur plot gojë: "Nuk jam komunist...Luftoj për Shqipërinë!...Jam shqiptar!”. Ashtu dhe gjatë shkarkimeve elektrike të terrorit të kuq, ka ditur të protestojë, jo vetëm nga dhimbja, por më tepër nga zhgënjimi dhe mashtrimi... " Jo nuk jam agjent i askujt, por…jam shqiptar!..."
Sa e vështirë qenka dhe është të jesh shqiptar...Shqiptar atdhetar, që të sakrifikohesh deri në vdekje për vendin tënd!...
Vetëm shumë më vonë mësuam, se e kishin akuzuar si “agjent të anglo-amerikanëve”, vetëm e e vetëm, se ai, si gjithë jetën e tij, vuri gjithë forcën dhe ndershërinë për të realizuar detyrën e fundit, që i kishin ngarkuar: Ruajtjen dhe shpëndarjen sa më të përkryer të ndihmave të UNRRA -s për popullin e tij shumë të dashur.
Prandaj, duhet ta kujtojmë dhe ta nderojmë me gjithë zemër intelektualin patriot Harilla Bakallin, si një martir, që luftoi dhe u masakrua barbarisht…ashtu siç thotë poeti "...si një vigan liberator..", që dha jetën vetëm "... për ta parë Shqipërinë Zonjë...!”.
shkruar nga Kostandin M. Leka - botuar ne Gazeta 55.









