|
360 letture - 7 prill 2012. Gjakove, Kosove Promovim i librit "Takim Fatal me diktatorin" - deshmi dhe kujtime te Gjet Vocaj, ne pranine e personaliteteve kulturore dhe letrare
te Kosoves dhe Shqiperise, perkatesisht te Gjakoves dhe Shkodres- Liber i paraqitjes autentike te deshmive te nje kohe te caktuar. Gjet Vocaj: Takim fatal me diktatorin, botoi Enti Botues “Gjergj Fishta” , Lezhë, 2010
Dr. Besim Muhadri
Pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri, në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, u hap “Kutia e Pandorës”. E them këtë në mënyrë simbolike, për të shprehur atë se pas rënies së sistemit diktatorial në Shqipëri, dolën në shesh të gjitha tmerret që ai sistem dhe vasalët e tij ia kishin shkaktuar Shqipërisë dhe popullit të saj. Pesëdhjetë vitet e izolimit total të Shqipërisë, kishin qenë pesëdhjetë vite të tmerrit, vite të torturave fizike dhe shpirtërore të rënduara mbi popullatën e pambrojtur të atij vendi, e cila në një farë forme kishte tentuar ta kundërshtonte atë sistem, apo që edhe e kishte kundërshtuar, mirëpo kundërshtimi i saj do të thoshte fatalitet me pasoja të paparashikueshme, që kushtonin me burgosje, vrasje, internime të gjata, jo vetëm të personit të akuzuar, por edhe ta familjes së ngushtë dhe farefisit të gjerë. Për ato vite, për ato ngjarje dhe për të gjitha ato të këqija dhe vuajtje që i ishin shkaktuar Shqipërisë dhe popullit të saj na udhëheqësit e saj, janë shkruar dhe vazhdojnë të shkruhen libra të shumtë. Janë xhiruar filma dhe dokumentarë. Janë rrëfyer ngjarje kolektive e personale. Janë denoncuar dhe janë bërë kërkesa për denoncim të atij sistemi të mallkuar, kreatorëve dhe autorëve të vuajtjeve të shkaktuara gjatë atyre viteve. Madje janë kërkuar edhe hapje dosjesh, për të parë se kush e bëri, pse e bëri, si e bëri dhe çka bëri, por deri më tani ende nuk ka ndodhur kjo në mënyrë totale. Dikush edhe mund të thotë se është bërë mjaft në këtë drejtim, mirëpo duke parë përmasat e të këqijave që ai sistem dhe kreatorët e tij i kanë sjellur vendit dhe popullatës, mendoj se ende nuk është bërë sa duhet dhe si duhet. Prandaj, në kuadër të kolanës së rrëfimeve dhe dëshmive, nëse mund ta quajmë kështu, për të bërat e atij sistemi të çoroditur, hyn edhe libri Takim fatal me diktatorin, i Gjeto Vocajt, njëri nga protagonistët e shumtë të kalvarit të vdekjes të atij sistemi të mallkuar, të cilët në një farë forme, rastësisht arritën t’i përballojnë, të dalin të gjallë, në mënyrë që sot të rrëfejnë, të dëshmojnë, në mënyrë që t’ua lënë brezave testamentin e fuqishëm të mbijetesës, të sakrificës dhe të qëndresës. Përmes librit Takim fatal me dikaktorin sjell para lexuesit nje realitet tronditës, që e bën atë një libër i dëshmisë historike të një kohe dhe një periudhe të caktuar, mesazhi i të cilit, ndonëse ndërtohet nga pësimi personal, ngërthen në vete tërë kompleksitetin e një mesazhi kolektiv. Të një mesazhi që ndërtohet nga dëshmi autentike të përjetuara në periudha të gjata kohore. Autori i librit Takim fatal me diktatorin, Gjet Vocaj, një mësues i përkushtuar, nga Malësia e Shkodrës, i cili në vitet 60 ë shekullit të kaluar (XX) zbulon një nxënës me aftësi të të jashtëzakonshme matematike për moshën. Shkruan për të një artikull te gazeta ”Mësuesi”, i cili ia tërheq vëmendjen jo vetëm kryeredaktorit të atëhershëm, psikologut dhe shkrimtarit të njohur, Bedri Dedja, i cili vjen në Dukagjin të takojë vetë mësuesin e nxënësin e tij, por edhe qarqeve më të larta politike. Madje depërton deri te diktatori, i cili pëmes vartësit të tij, Ramiza Alisë, kërkon ta takojë mësuesin, por jo nxënësin, me arsyetimin se “mund t’i rritej mendja”. Në atë takim ai e porosit mësuesin që me të merren seriozisht, duke i krijuar disa kushte të veçanta, por edhe duke u kujdesur që ky nxënës i talentuar “të mësojë kush janë anëtarët e Byrosë dhe cila është vija e drejtë marksiste-leniniste e Partisë sonë”, që ishte një porosi e zakonshme dhe paradoksale njëkohësisht. Në ndërkohë, takimi me diktatorin i nxiti autoritetet e atëhershme që të “gërmojnë” në biografinë e Gjetës, e cila, si ajo e shumicës së popullit tone, gjithnjë “kishte diçka të dyshimtë”, sepse dikush kishte një të afërm jashtë kufijve shtetërorë, dikush kishte një të pushkatuar pa gjyq, një të dënuar për agjitacion kundër Pushtetit, apo të internuar. Edhe Gjet Vocaj kishte të pushkatuar gjyshin, që u bë “shkak” që pas të gjitha atyre “provave”, pas 17 vitesh të provonte prangat dhe torturat e burgjeve të tmerrit të shtetit diktatorial. Dhe mësuesi i përkushtuar i Malësisë së Shkodrës, Gjet Vocaj, pëson degradimin më fatal, më të pakuptimtë dhe më të palogjikshëm. Dhe ky “shpërblim” i vjen nga njerëz smirëzi, nga fodullë dhe nga dallkaukë të atij sistemi diktatorial, i rrethuar dhe i ndërtuar nga një turmë e paparë injorantësh totalë, që i shërbente me devotshmëri, mbase pa e ditur se ky shërbim po e shpiente vendin drejt katandisjes dhe çoroditjes totale, ashtu sikur edhe ndodhi me të vërtetë. Ashtu si edhe mijëra të tjerë, mësuesi i përkushtuar u bë viktimë e atij sistemi, si edhe një pjesë e madhe e intelengjencës së atëhershme shqiptare. Ai bie detyrimisht dhe pamëshirshëm viktimë e marrëzisë së sistemit totalitar dhe të luftës së tmerrshme të klasave. Nga një mësues i përkushtuar, protagonisti ynë, “rrëshqet” drejt humnerës së degradimit, ndonëse nuk e kishte merituar një shpërblim të tillë, ai megjithatë arrin të shijojë “kafshatën” hidhur të vuajtjeve, por assesi në atë të dëshpërimit, të përuljes dhe të pajtimit me të keqen. Gjet Vocaj me librin e tij Takimi fatal me diktatorin arrin që para lexuesit të sjellë një monument të fuqishëm dëshmie për një kohë të errët, errësira e të cilës kishte arritur deri edhe në pikat më të largëta të atdheut, atje ku jeta ishte në zgripcin e saj. Në këtë libër shohim gjithë atë arsenal të pafund poshtërsish të shtetit diktatorial dhe të nomenklaturës së tij që shprazet mbi popullatën e pambrojtur. Shohim vuajtje njerëzish, dëshpërime, degradime, mirëpo shohim edhe gjithë atë arsenal përkushtimi të atyre njerëzve për të sfiduar sa më me pak vuajtje dhe pasoja atë katrahurë që kishte rënë mbi jetërat e tyre që shuheshin dhuntisht dhe tinëzisht nga totalitarizmi dhe shteti terrorist i Enver Hoxhës dhe i lakejve të tij. Te libri i Gjet Vocajt, shohim edhe përkushtimin dhe forcën e intelektuale dhe njerëzore jo vetëm në tejkalimin, por edhe në menaxhimin e situatave të rënda, të cilat mund të kushtonin me jetë, por ajo që është edhe më e keqja edhe degradim shpirtëror, moral dhe njerëzor. Gjet Vocaj arrin t’i sfidojë këto të këqija dhe të ruajë shpirtin e tij, integritetin e tij personal, familjar dhe njerëzor, duke mbetur njeri vertital. Ky vertikalizëm atij i solli një përfundim të mbarë, sado që fatkeqësitë familjare do ta përcjellin në kontinuitet. Mirëpo, duke qenë një njeri me karakter të fortë njerëzor, kombëtar dhe shoqëror, protagonisti i librit Takim fatal me diktatorin arrin që të mijetojë dhe të triumfojë. Ajo që të lë përshtypje në këtë libër është gjakftohtësia e protagonistit në menagjimin e situatave dhe gjykimi po në këtë mënyrë. Ai, duke qenë edhe një besimtar i përkryer te Zoti, arrin jo vetëm që të mbijetojë, por edhe të përjetësojë dhe në mënyrë artistike, kështu në formë libri, dëshmitë e duhura të pësimeve të atyre të cilët kishin arritur të shkaktonin vuajtje dhe mjerim tek të tjerët. Dhe në fund, duhet të themi se libri Takim fatal me diktatorin, është libri i dhembjes, por ai është edhe libri i paraqitjes autentike të dëshmive të një kohe të caktuar, tepër të rëndë, të përshkuar mbi shtetin dhe popullin shqiptar. Një libër që lexohet, përjetohet dhe mbahet mend gjatë.
|